Konfigurimi i shërbimit celular në iPhone
Lidhja celulare në iPhone kërkon një kartë SIM nga një operator celular, kontaktoni me operatorin celular për të konfiguruar një plan celular.
iPhone X dhe modelet e mëparshme mbështesin një plan celular me përdorimin e një karte nano-SIM.
iPhone XS, iPhone XS Max dhe iPhone XR mbështesin Dual SIM me përdorimin e një karte nano-SIM dhe një eSIM (nuk janë të disponueshme në të gjitha rajonet, iOS 12.1 ose version i mëvonshëm).
Këtu janë disa nga shumë mënyrat se si mund ta përdorni Dual SIM:
Përdorni një numër për telefonatat e biznesit dhe një numër tjetër për telefonatat personale.
Shtoni një plan lokal të të dhënave kur udhëtoni në një rajon tjetër.
Mbani plane të veçanta për telefonatat zanore dhe të dhënat.
Shënim: Për të përdorur dy operatorë celularë të ndryshëm, iPhone duhet të jetë i shkyçur.
Instalimi i kartës nano-SIM
Fusni një kapëse letre ose mjetin e nxjerrjes së kartës SIM në vrimën e vogël të mbajtëses së kartës SIM, pastaj shtyjeni për brenda drejt iPhone për të nxjerrë mbajtësen.
Shënim: Forma dhe orientimi i mbajtëses së kartës SIM varen nga modeli i iPhone dhe rajoni ku ndodheni.
Hiqni mbajtësen nga iPhone.
Vendosni kartën nano-SIM në mbajtëse. Këndi i prerë përcakton dhe orientimin e duhur.
Futeni mbajtësen sërish në iPhone.
Nëse keni konfiguruar më parë një kod PIN në kartën nano-SIM, futni me kujdes kodin PIN kur të kërkohet.
PARALAJMËRIM: Mos u përpiqni ta hamendësoni SIM PIN. Hamendësimet e gabuara mund t'jua kyçin përgjithnjë kartën SIM dhe nuk do të keni mundësi të kryeni telefonata apo të përdorni të dhënat celulare përmes operatorit tuaj derisa të merrni kartë të re SIM. Shikoni artikullin e Ndihmës së Apple Përdorimi i kodit PIN të kartës SIM për iPhone ose iPad.
E rëndësishme: Mund të kërkohet një kartë nano-SIM për të përdorur shërbimet celulare kur lidheni me rrjete GSM dhe disa rrjete CDMA. Një iPhone i aktivizuar në një rrjet me valë CDMA mund të përdorë gjithashtu një kartë nano-SIM për lidhjen me një rrjet GSM, kryesisht për roaming ndërkombëtar. iPhone juaj u nënshtrohet politikave të operatorit të shërbimit me valë, të cilat mund të përfshijnë kufizime për ndërrimin e operatorëve të shërbimit dhe për roaming, edhe pas përfundimit të një kontrate minimale të kërkuar shërbimi. Kontaktoni me operatorin e shërbimit tuaj me valë për më shumë detaje. Ofrimi i kapaciteteve celulare varet nga rrjeti me valë, nga modeli i iPhone tuaj dhe nga vendndodhja juaj.
Konfigurimi i planit tuaj celular me kartën eSIM
Në modelet që mbështesin kartën eSIM, karta eSIM e dhënë nga operatori celular ruhet në mënyrë digjitale në iPhone.
Shkoni te Settings
> Cellular, pastaj prekni Add Cellular Plan.
Pozicionojeni iPhone në mënyrë të tillë që kodi QR i dhënë nga operatori celular të shfaqet në kuadër ose futni detajet manualisht. Mund t’ju kërkohet të futni një kod konfirmimi të dhënë nga operatori juaj celular.
Prekni Add Cellular Plan.
Nëse plani i ri është në linjën e dytë, ndiqni udhëzimet në ekran për të caktuar se si i dëshironi që planet të funksionojnë së bashku.
Si alternativë, mund të aktivizoni planin tuaj celular nëpërmjet aplikacionit të operatorit celular (nëse mbështetet). Shkoni tek App Store, shkarkoni aplikacionin e operatorit celular, më pas përdorni aplikacionin për të blerë një plan celular.
Mund të ruani më shumë se një kartë eSIM në iPhone, por mund të përdorni vetëm një kartë eSIM në të njëjtën kohë. Për të ndërruar kartat eSIM, shkoni te Settings > Cellular, prekni planin që dëshironi të përdorni dhe më pas prekni Turn On This Line.
Nëse keni një nano-SIM, mund ta përdorni atë si linjën e dytë. Shikoni artikullin e Ndihmës së Apple Përdorimi i Dual SIM me një kartë eSIM.
Menaxhimi i planeve celulare
Në modelet me Dual SIM, mund të zgjidhni se si përdoret çdo linjë nga iPhone (iOS 12.1 ose version i mëvonshëm).
Shkoni te Settings
> Cellular, pastaj bëni një nga më poshtë:
Prekni Cellular Data, pastaj zgjidhni një linjë.
Mund të zgjidhni vetëm një linjë për të dhënat celulare; iPhone përdor linjën e zgjedhur për çdo aktivitet që kërkon të dhëna celulare, kur nuk jeni në Wi-Fi. Mund të keni tarifa për roaming nëse Data Roaming është aktivizuar dhe jeni jashtë rajonit të mbuluar nga rrjeti i operatorit celular.
Prekni Default Voice Line, pastaj zgjidhni një linjë.
Nën Cellular Plans, prekni një linjë dhe më pas ndryshoni cilësimet si p.sh. Cellular Plan Label, Wi-Fi Calling, Calls on Other Devices ose SIM PIN. Etiketa shfaqet në Phone, Messages dhe Contacts.
Për të regjistruar një numër telefoni për iMessage dhe FaceTime, shkoni te Settings > Messages > iMessage & FaceTime Line.
Mund të regjistroni vetëm një nga numrat e telefonit për iMessage dhe FaceTime. Numri tjetër nuk mund të dërgojë ose të marrë mesazhe me iMessage, ose të kryejë ose të marrë telefonata me FaceTime. Pavarësisht nga numri i telefonit që regjistroni, iMessage dhe FaceTime transferojnë të dhëna në linjën e të dhënave celulare kur nuk jeni në Wi-Fi; mund të zbatohen tarifa të rrjetit celular.
Shënim: Kur përdorni Dual SIM, kini parasysh si më poshtë:
Kur jeni në një telefonatë, çdo telefonatë hyrëse në linjën tjetër (duke përfshirë telefonatat nga shërbimet e urgjencës) kalon drejtpërdrejt te posta zanore (nëse është e disponueshme nga operatori celular); nuk do të merrni njoftime për telefonatat e humbura.
Nëse konfiguroni transferimin e kushtëzuar të thirrjeve (nëse është i disponueshëm nga operatori celular) nga njëra linjë te tjera kur një linjë është e zënë ose nuk është në shërbim, thirrjet nuk do të kalojnë te posta zanore; kontaktoni me operatorin celular për informacione për konfigurimin.
Telefonata në pritje funksionon vetëm për telefonatat hyrëse në të njëjtën linjë.
Nëse kryeni një telefonatë nga një pajisje tjetër duke e transferuar nëpërmjet iPhone me Dual SIM, telefonata kryhet duke përdorur linjën e parazgjedhur të telefonatave zanore.
Nëse nisni një bisedë me mesazhe SMS/MMS duke përdorur një linjë, nuk mund ta kaloni bisedën në linjën tjetër; duhet ta fshini bisedën dhe të nisni një bisedë të re duke përdorur linjën tjetër. Po ashtu, mund të keni tarifa shtesë nëse dërgoni bashkëngjitje me SMS/MMS në linjën që nuk është linja e të dhënave celulare.
Instant HotSpot dhe Personal Hotspot përdorin linjën e zgjedhur për të dhënat celulare.
Zgjidhni cilësimet që minimizojnë tarifat celulare, sidomos kur udhëtoni me telefonin tuaj iPhone.
Për informacione mbi menaxhimin e përdorimit të të dhënave tuaja celulare, shihni Shfaqja apo ndryshimi i cilësimeve celulare në iPhone.
Disa operatorë jua lejojnë shkyçjen e iPhone për përdorim me një operator tjetër (mund të ketë tarifa shtesë). Kontaktoni kompaninë tuaj telefonike për autorizim dhe informacion konfigurimi. Shikoni artikullin Si të shkyçni iPhone për përdorim me një operator tjetër te Ndihma e Apple.